PROKURORIA PUBLIKE E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

PROKURORIA PUBLIKE E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

Pozita kushtetuese e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe pozita në sistemin e pushtetit shtetëror, përcaktohen me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr. 52/1991) dhe Amendamentet XXIV, XXX i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë i datës 07 dhjetor 2005 (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr. 107/2005), si dhe Ligjin për Prokurorinë Publike (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr. 80/92, 19/93, 9/94 dhe 9/96, 38/04, 150/07)

Sipas nenit 106 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Prokuroria Publike përcaktohet si organ i vetëm dhe i pavarur shtetëror që i ndjek autorët e veprave penale dhe të veprave të tjera të dënueshme me ligj, e po ashtu kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj. Prokuroria Publike i kryen funksionet e saj në bazë dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjit. Neni i njëjtë e përcakton edhe emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit Publik nga ana e Kuvendit me një mandat prej gjashtë vjetësh.

Dispozita tjetër e Kushtetutës (neni 107) ka të bëjë me gëzimin e imunitetit nga Prokurori Publik, për të cilin vendos Kuvendi dhe papajtueshmërinë e funksionit të Prokurorit Publik me ushtrimin e ndonjë profesioni dhe funksioni tjetër publik ose më anëtarësinë në ndonjë parti politike. Ky nen është fshirë me Amendamentin X të miratuar në vitin 2005.

 

Me Ligjin për Prokurorinë Publike të vitit 1992 u rregullua themelimi i prokurorive publike, organizimi dhe kompetencat e tyre, rajonet në të cilat veprojnë dhe selitë e prokurorive publike, si dhe kushtet dhe procedura për emërimin dhe shkarkimin e Prokurorëve Publikë dhe e zëvendësve të tyre nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë me propozimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, edhe atë pasi të jetë marrë mendimi i prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë për një periudhë gjashtë vjeçare, me mundësi të riemërimit. Sipas ligjit, funksioni i Prokurorit Publik dhe i Zëvendës-Prokurorit Publik ka qenë i papajtueshëm me funksionin e deputetit, gjegjësisht këshilltarit, si dhe me funksionet në organet e Republikës, komunave dhe qytetit të Shkupit dhe ata nuk kanë mundur të ushtrojnë ndonjë funksion politik dhe të jenë anëtarë të ndonjë partie politike ose shoqate tjetër politike.

 

Me Ligjin për Prokurorinë Publike të vitit 2004, Prokuroria Publike është e organizuar sipas parimeve të hierarkisë dhe vartësisë si Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë, Prokuroria e Lartë Publike dhe Prokuroritë Themelore Publike. Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë është e themeluar për tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe procedon para Gjykatës Supreme. Tre Prokuroritë Themelore Publike në Manastir, Shkup dhe Shtip, procedojnë përpara Gjykatave të Apelit, ndërsa 22 Prokuroritë Themelore Publike procedojnë përpara një ose më shumë Gjykatave Themelore. Sipas dispozitave të Ligjit, në kuadër të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë është themeluar Njësia për ndjekjen penale të autorëve të veprave penale nga fusha e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ky ligj parashikon edhe krijimin e Këshillit të Prokurorëve Publikë me qëllim të zbatimit të procedurës për emërimin, shkarkimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë në kryerjen e funksionit të prokurorëve publikë dhe zëvendës-prokurorëve publikë.

 

Në vitin 2005 u miratua Amendamenti XXX në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, i cila përcakton një mënyrë cilësisht të re për rregullimin e çështjes së ushtruesve të funksionit të Prokurorit Publik, duke i përjashtuar Zëvendës-prokurorët Publikë në strukturën e Prokurorisë Publike. Përkufizimi i Prokurorisë publike  dhe funksioni i saj mbeten të njëjta. Është përcaktuar më saktësisht pozita e Prokurorisë Publike në kuptim të asaj se funksionet e saj i ushtron në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe traktateve të ratifikuara ndërkombëtare, si dhe se funksionin e Prokurorisë Publike e ushtrojnë Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë, të cilin e emëron dhe e shkarkon Kuvendi i Republikës së Maqedonisë për një mandat prej gjashtë vjetësh me të drejtë për riemërim dhe prokurorët publikë të zgjedhur nga ana e Këshillit të Prokurorëve Publikë pa kufizime për kohëzgjatjen e mandatit, duke e respektuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive. Me këtë u ndryshua zgjidhja e mëparshme që emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve publikë ta bëjë Kuvendi i  Republikës së Maqedonisë me propozimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

 

Amendamenti përcakton që kompetenca, themelimi, heqja, organizimi dhe funksionimi i Prokurorisë Publike, si dhe bazat dhe procedura e ndërprerjes dhe shkarkimit të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe prokurorëve publikë, rregullohen me ligj të miratuar me dy të tretat e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Amendamenti e thekson gjithashtu papajtueshmërinë e funksionit të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Prokurorit Publik me anëtarësimin në ndonjë parti politike ose kryerjen e profesioneve dhe funksioneve të tjera publike të përcaktuara me ligj, ndërsa njëkohësisht ndalon organizimin dhe veprimin politik në Prokurorinë Publike.

Ligji për Prokurorinë Publike (2007) është rezultat i përpjekjeve të vendit për t’u harmonizuar me Amendamentet, detyrimit për ta harmonizuar legjislacionin tonë dhe përcaktimit për t’u integruar në strukturat euro-atlantike. Ligji siguroi avancimin dhe forcimin e pozitës së Prokurorit Publik në sistemin e drejtësisë penale; forcimin e pavarësisë së bartësve të funksionit dhe avancimin e pozitës në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë; përfshirjen e Rekomandimeve të Komitetit të Ministrave për rolin e Prokurorit Publik në sistemin e drejtësisë penale; avancimin e statusit të prokurorëve dhe pozitës në sistemin e drejtësisë dhe rritjen e kapaciteteve të Prokurorisë publike për përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

 

Sa i përket organizimit të Prokurorisë Publike, ruhet struktura ekzistuese organizative. Risi është ajo se në bazë të organizimit të gjyqësisë, gjegjësisht krijimit të Gjykatës së Apelit në Gostivar, përveç tre Prokurorive të Larta Publike (Manastir, Shkup dhe Shtip), është themeluar edhe Prokuroria e Lartë Publike në Gostivar, si dhe është formuar Prokurori e veçantë Publike për procedim të lëndëve që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat më parë ishin nën juridiksionin e Njësisë për ndjekjen penale të autorëve të veprave penale nga fusha e krimit të organizuar dhe korrupsionit pranë Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

Ligji i ri i Procedurës Penale i vitit 2010  e forcoi rolin e Prokurorit Publik në luftën kundër autorëve të veprave penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare – prokurori publik merr rol udhëheqës në procedurën hetimore.