PROKURORI PUBLIK I REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

PROKURORI PUBLIK I REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nenad Saveski, ka lindur më 22 korrik 1976.

Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit ”Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup në vitin 2000,  provimin e jurisprudencës e dha në vitin 2003. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”, ku mori titullin Magjistër i Shkencave Juridike në fushën e së drejtës penale.

Gjatë periudhës 2007–2008 ishte pjesë e gjeneratës së parë të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Pas përfundimit të këtij programi, në vitin 2009 u zgjodh prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.

Për një periudhë të caktuar ushtroi detyrën edhe në Prokurorinë Themelore Publike në Gostivar, ndërsa në shtator të vitit 2016 u zgjodh gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në Sektorin për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Që nga viti 2014, ai është ligjërues në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, ku merr pjesë në trajnimin fillestar dhe të vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë aktualë dhe të ardhshëm.

Gjatë karrierës së tij të pasur profesionale, Saveski është angazhuar si ekspert dhe konsulent në një numër të madh grupesh pune për hartimin dhe analizimin e ligjeve dhe akteve të tjera normative.Angazhimet e tij si ekspert vendor dhe ndërkombëtar janë realizuar në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Qendrën e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF), Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Këshillin e Evropës përmes programit JUFREX, Akademinë ILEA në Budapest, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”.

Në vitin 2024, ai u angazhua si ekspert në grupin e punës për reformat në sistemin gjyqësor të Republikës së Moldavisë, ku mori pjesë në përgatitjen e një Manuali për përdorimin e masave të posaçme hetimore në kuadër të projektit “Forcimi i Menaxhimit të Sektorit të Sigurisë në Moldavi”.

Nenad Savevski është autor dhe bashkautor i një numri publikimesh profesionale, ndër të cilat veçohen ”Udhëzuesi për Shkatërrimin e të Dhënave të Mbledhura përmes Masave të Posaçme Hetimore” (DCAF, 2024) dhe ”Udhëzuesi për Gjykimin në Distancë për Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore” (Instituti CEELI, botimi i dytë, 2022). Gjithashtu, gjatë karrierës së tij ka publikuar një sërë punimesh profesionale dhe shkencore me tema të rëndësishme juridike, si: ”Masat e Posaçme Hetimore përballë të Drejtës së Privatësisë – Jurisprudenca dhe Standardet Ndërkombëtare”, ”Masat për Sigurimin e Pranisë së Personave në Kodin e Procedurës Penale që Kufizojnë të Drejtën e Lirisë dhe Sigurisë në Përputhje me Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ”Krimet e Urrejtjes dhe Gjuha e Urrejtjes”, Konfiskimi dhe Konfiskimi i Zgjeruar”, si dhe tema të tjera nga fusha e së drejtës penale dhe procedurës penale.

Prokurori Publik, Saveski ka ndjekur programe të specializuara trajnimi në kuadër të programit MATRA në Holandë, në Institutin CEELI në Pragë dhe në Qendrën ARE.

Përveç gjuhës amtare, zotëron në mënyrë aktive gjuhën angleze, gjermane, serbo-kroate dhe shqipe.

Më 18 mars 2026, Nenad Saveski u zgjodh Prokuror Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut është funksionar i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për një mandat prej gjashtë vitesh dhe me të drejtë për riemërim. Për punën e tij dhe për punën e Prokurorisë Publike, ai është përgjegjës para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kushtet që duhet t’i përmbushë një person për t’u bërë Prokuror Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut janë: të jetë qytetar i aftë për punë i Republikës së Maqedonisë së Veriut me aftësi të përgjithshme shëndetësore, që e njeh në mënyrë aktive gjuhën maqedonase, ka diplomë universitare si jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe të paktën tetë vjet përvojë pune pas dhënies së provimit të jurisprudencës, me rezultate të konfirmuara në çështjet juridike, gjegjësisht është profesor i rregullt/inordinar universiteti që ligjëron lëndë të drejtësisë në sferën e jurisprudencës për më shumë se dhjetë vjet.

Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfaqëson Prokurorinë Publike, udhëheq me punën e saj, i ushtron të drejtat dhe obligimet e përcaktuara me ligj. Ai është përgjegjës për situatën e përgjithshme në lidhje me organizimin dhe kryerjen e funksioneve të Prokurorisë Publike, jep udhëzime të detyrueshme të përgjithshme me shkrim për prokurorët e lartë publikë, prokurorin themelor publik për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për prokurorët themelorë publikë për ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit dhe qytetarit, mbrojtjen e interesave të shtetit dhe personave të tjerë juridikë, për zbulimin dhe ndjekjen më efikase të veprave penale dhe të autorëve të tyre, për zbatimin e mjeteve juridike dhe zbatimin e ligjeve. Sipas ligjit, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të ndërmarrë ndjekje penale dhe kryerje të punëve të caktuara për të cilat është kompetent një prokuror i lartë, prokuror themelor ose prokuror themelor publik për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjegjësisht t’i autorizojë ata të zhvillojnë procedurë për lëndë të caktuara ose të kryejnë detyra të caktuara që janë në kompetencë të ndonjë prokurori tjetër publik.

Në fillim të çdo viti kalendarik, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut miraton Orar vjetor të punës dhe dorëzon Raport vjetor për punën e Prokurorive Publike dhe për gjendjen e krimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut parashtron iniciativë për fillimin e procedurës për vlerësimin e pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën dhe pajtueshmërinë e dispozitave të tjera me Kushtetutën dhe ligjet, nëse çështja e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë shtrohet në punën e Prokurorisë Publike.

Nëse Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut i ndërpritet funksioni ose shkarkohet prej tij, Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut e cakton një prokuror publik nga radhët e prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut që do ta kryejë funksionin deri në emërimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Që nga viti 1944 deri më sot detyrën e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut e kanë ushtruar 15 prokurorë publikë.